Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se takimi i djeshëm midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ishte një hap i rëndësishëm i dialogut midis dy vendeve, pasi ishte takimi i parë që kur kryeminsitri Kurti ka marrë detyrën këtë vit. Von Cramon shpreson se Kurti do ta dëshmojë që e kupton rëndësinë e këtij dialogu, pasi vullneti i të dyja palëve është parakusht për suksesin e negociatave, transmeton Insajderi.
Duke folur për këtë takim për “Danas”, Von Cramon thotë se “administrata e Bidenit ka pritje të mëdha, por ne gjithashtu shohim nevojën që kryeministri Kurti të mos ngutet, por të mendojë me kujdes për atë që është arritur deri më tani”.
“Puna e qeverisë së tij duhet të bazohet në arritjet e mëparshme. Sidoqoftë, këto do të jenë negociata të komplikuara dhe ne nuk duhet domosdoshmërisht të presim që rezultatet të arrihen menjëherë pas një raundi, dhe ne duhet të kemi parasysh se asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të bihet dakord”, përfundoi Von Cramon.
Të martën e 15 qershorit, Kurtid he Vuçiq kanë zhvilluar takimin e tyre të parë në kuadër të dialogut, ku pjesë e negociatave ishin edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pas takimit, Kurti tha se ka paraqitur katër kërkesat e tij për vazhdimin e këtij dialogu. /Insajderi.com