
Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që t’i vendosin interesin e shtetit para atyre të partisë, përcjell Insajderi.
Thirrja e saj vjen një ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në votimin për presidente të Vjosa Osmanit, dikur nënkryetare e kësaj partie.
“Kjo është edhe shpresa ime. Sigurohuni që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të vendosin interesat e shtetit në rend të parë, para interesave të një partie”, ka shkruar Cramon në rrjetin social Twitter, teksa ka shpërndarë reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rode, i cili ka shkruar se e mirëpret vendimin e LDK-së për të qëndruar në sallën e Kuvendit kur votohet presidenti i vendit.
Rohde ka shkruar se shpreson që të gjithë deputetët të veprojnë njëjtë për t’i shmangur zgjedhjet e reja./Insajderi.com