Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se votimi i kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, nuk do të kenë pasoja serioze për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Insajderi.
Sipas saj veprimi i Kurtit ka një konotacion të fortë politik dhe paralajmëron se do të bisedojë me Kurtin këtë javë për motivet e tij sa i përket këtij votimi.
Në një deklaratë për të përditshmen serbe ‘Danas’, Von Cramon deklaroi se ajo vetëm mund të konfirmonte atë që tashmë e kishte thënë “se nuk ishte dakord me një veprim të tillë”.
“Sipas mendimit tim, nëse Kryeministri i një vendi voton në një vend fqinj, nuk kontribuon në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Nëse kam mundësi, do të doja të diskutoja me Kurtin cilat ishin motivet e tij për këtë lëvizje. Unë nuk mendoj se vota e Kurtit do të reflektojë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por është e qartë se ne nuk mund të zbatojmë standarde të dyfishta për çështjen e shtetësisë së dyfishtë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët nga Kosova”, ka thënë ajo.
Von Cramon ishte një ndër të parët të cilët reaguan për kreun e ekzekutivit sa i përket gjestit të tij në zgjedhjet e së dielës, duke thënë se një veprim i tillë është i papranueshëm. /Insajderi.com