Von der Leyen: E mirëpres marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat, dialogu të vazhdojë

Von der Leyen: E mirëpres marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat, dialogu të vazhdojë

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e ka mirëpritur marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Twitter, Von der Leyen, këtë marrëveshje e ka cilësuar si zhvillim shumë pozitiv teksa shton se dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdojë.

Marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel mbi reciprocitetin e targave

“Mirëpres marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo është mirë për tërë rajonin. Dialogu tani duhet të vazhdojë”, shkruan ajo.

Kurse, mesditën e së enjtes, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, konfirmoi se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur një marrëveshje për targat e veturave.

Në një postim në Twitter, Lajçak theksoi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja për deeskalimin e situatës, teksa ka falënderuar dy kryenegociatorët për gatishmërinë e treguar.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.

Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut./Insajderi.com