Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se situata në Veri të Kosovës është shqetësusese, përcjell Insajderi.com.
Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Von der Leyen theksoi se dy vendet duhet që të ulin tensionet dhe të rikthehen në dialog.
“Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik. Ky është një proces i gjatë që sjell një të ardhme me paqe dhe begati”, u shpreh Von der Leyen.
Tutje, ajo theksoi se e mbështet çështjen e “Ballkanit të Hapur” dhe çdo nismë të Procesit të Berlinit, raporton Top Channel.
Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shohim me imtësi fjalët, por kontekstin që propozohet. Të jetë një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës, që thellon edhe marrëdhëniet mes vendeve që të ketë një integrim të thellë të ekonomive”, u shpreh ajo.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri kosovar, Albin Kurti, tha se Kosova nuk merr pjesë në një nismë së bashku me Serbinë.
Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se e vonon integrimin evropian të rajonit, teksa shtoi se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit./Insajderi.com