Përderisa disa kishin ankesa se ka vonesa të autobusëve disa të tjerë patën kritika edhe për shoferët e autobusëve të Trafikut Urban.
Në anën tjetër të kënaqur me lirimin nga pagesa janë shprehur pensionistët nga Prishtina. Teksa një qytetar u shpreh se nuk kanë ku të presin për autobus, përmend edhe kungjat e vendosur nëpër Prishtinë.
Insajderi ka folur me kryeshefin e Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj i cili ka treguar se cilat janë ankesat më të shpeshta të qytetarëve.
Kërkesat e qytetarëve për linja të reja, operatorët privat, problemet me aplikacionin e Trafikut Urban janë disa nga ankesat e shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve. Madje, ndaj Trafikut Urban qytetarët ankohen edhe për mungesën e shenjave për vend-ndalje të autobusëve për të cilat Rexhepaj thotë se nuk është në kompetencën e kësaj ndërmarrje vendosja e tyre.
“Ankesat më të shpeshta të qytetarëve janë për mungesën e shenjave për vend-ndalje të autobusëve. Këto ankesa apo shqetësime janë plotësisht të arsyeshme, mirëpo nuk janë në kompetencën tonë të “Trafikut Urban” – jemi në kontakt me drejtorinë e shërbimeve Publike të cilët janë në përpjekje për ta zgjedhur këtë problem”, ka thënë Rexhepaj për Insajderin.
E përveç shenjave për vend-ndaljen e autobusëve qytetarët kishin edhe ankesa të tjera si mungesa e kabinave (pritoreve), vendosja e një orari për autobusëve.
Qytetarët kërkojnë që pritoret të rregullohen sa më parë, për shkak se edhe në ditët me shi, borë ju duhet të presin në qiellin e hapur.
“…është problem i madh për njerëzit e moshuar, njerëzit e sëmur koha kur është me shi, besa edhe kur është shumë nxehtë”, i tha njëri nga qytetarët Insajderit.
Që pritoret nuk janë të standardit të duhur e thotë edhe kryeshefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj.
“Është e vërtetë duhet të jemi real dhe jemi real – pritoret nuk janë në standardin e kërkuar, ende mungojnë oraret. Por, meqë plani i mobilitetit ende nuk ka fillu implementimin brenda planit të mobilitetit parashihet edhe rregullimi i pritoreve sepse disa linja të autobusëve do ta ndryshojnë drejtimin”, ka deklaruar ai.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se janë duke punuar për pritoret e reja të autobusëve.
“Pritoret janë duke u bë gati për me dal me procedurë të prokurimit janë në fazën përfundimtare të përgatitjes për me dal”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës duke mos dhënë një përgjigje të prerë se kur do të finalizohet ky projekt.
Teksa kanë shtuar se me planin e mobilitetit parashihet përveç rregullimi të pritoreve edhe ndryshimi i drejtimit për disa linja të autobusëve.
Derisa Komuna e Prishtinës t’i ripërtërijë apo t’i vendos pritoret me standarde të duhura, qytetarët janë të detyruar të presin në qiellin e hapur e nëpër pritoret me kushte jo fortë të mira./Insajderi.com