Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Saliuh Mustafa dhe drejtorët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë – kanë kryer aplikimet për të votuar në zgjedhjet që priten të mbahen më 14-shkurt, transmeton Insajderi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka pranuar shtatë aplikime për të votuar nga Haga e Holandës. Nga ky komision kanë falënderuar Ambasadën e Kosovës në Holandë, si dhe personelin administrativ të Dhomave të Specializuara për ndihmën rreth këtyre aplikime.
Nga Gjykata Speciale u shprehën të rezervuar për të dhënë detaje për ndihmën e ofruar për t’iu mundësuar të lartcekurve votimin.
“Dhomat e Specializuara te Kosovë, brenda kornizës së duhur ligjore, po ofrojnë asistencë për të paraburgosurit që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Për arsye të privatësisë nuk mund të ofrojmë asnjë informacion mbi kërkesat specifike të të paraburgosurve” thuhet në përgjigjen e zëdhënëses, Angela Griep, raporton Klan Kosova.
Avokati Taulant Hodaj ka treguar se si do të bëhet votimi i të pandehurve që janë ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, votimi i tyre është sikur i diasporës dhe bëhet me urdhër të veçantë të gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e parasheh situatën sesi duhet të veprohet kur të akuzuarit duan të votojnë”, thotë Hodaj. /Insajderi.com