Analisti politik në Institutin GAP, Agron Demi, ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, të mos votojnë për deputetë kandidatët të cilët janë demagogë dhe ‘gjithologë’, njofton Insajderi.
Demi tutje bën thirrje që të votohen kandidatët që dinë të shkruajnë dhe që e kanë dëshmuar profesionalizimin e tyre në fusha të tjera para se të futen në politikë.
Ai po ashtu thotë se duhet të votohen kandidatet gra, ngase sipas tij, ato kanë kaluar barriera para se të hyjnë në listën për deputete dhe “janë më përgjegjëse në punën që u besohet”.
Demi shton se deputetët më të mirë janë ata të cilët janë specializuar në një fushë, që kanë punuar në sektorin privat para se të bëhen deputetë dhe që marrin mundin të lexojnë dokumentacionin që shqyrtohet.
“Andaj, pasnesër, për cilëndo parti që votoni, votoni ata deputetë të cilët së paku dinë me shkru, ata deputetë që e kanë dëshmua profesionalizmin e tyre në fusha tjera para se ti hyjnë politikës, votoni gratë deputetet ngase gjasat janë më të mëdha se ato kanë kalu qindra barriera para se të hyjnë në listë për deputete, janë më përgjegjëse në punën që u besohet.
Mos i votoni demagogët e ‘gjithologët’, specializimi i vetëm i të cilëve është largësia e pështymës që e gjuajnë kur bërtasin në studio televizive, tubime e seanca të Kuvendit”, ka shkruar ai në Facebook./Insajderi.com