Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten

Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten

Që nga 8 tetorit, të gjithë vozitës me targa të Serbisë që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, në rast se nuk janë pajisur me letrat ngjitëse (stickers), të cilat vendosen mbi simbolet shtetërore në targa, do të sanksionohen sipas ligjit.

Kështu ka bërë të ditur Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, ka thënë ajo.

Megjithatë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, por as nga Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.

Mbulimi i simboleve shtetërore në targa

Kosova dhe Serbia të enjten e 30 shtatorit në Bruksel kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi plotësisht sot, 4 tetor.

Sipas kësaj marrëveshje, pronarët e veturave me targa të Kosovës duhet t’i mbulojnë simbolet shtetërore me një letër ngjitëse kur lëvizin në Serbi dhe të njëtën gjë duhet ta bëjnë pronarët e veturave me targa të Serbisë në Kosovë./Insajderi.com