Gjykata Themelore në Ferizaj i ka shpallur fajtorë dy vëllezërit nga Shtimja, pasi të njëjtit akuzohen se më 7 gusht të vitit të kaluar, kishin vrarë një person që kishte hyrë me të tjerë për të kryer grabitje në shtëpinë e tash të dënuarve, shkruan Insajderi.
Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, A.N. është dënuar me një vit burgim, ndërsa N.N. me dy vjet e tre muaj burgim.
Tutje është sqaruar e gjithë ngjarja e asaj dite.
“Të pandehurit akuzohen se më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F.G., i cili paraprakisht me A.T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N.N fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të pandehurit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore, dhe pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t’ia marrin nga dora tani të ndjerit – thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F.G mbetet i vdekur në vend”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Insajderi.com