Vrasja brenda familjes në Rahovec dyshohet se ndodhi për mosmarrëveshje për pronë

Vrasja brenda familjes në Rahovec dyshohet se ndodhi për mosmarrëveshje për pronë

58-vjeçari me inicialet J.G., ka vrarë me armë zjarri vëllaun e tij 65 vjeçar H.G., në Sapniq të Rahovecit gjatë mbrëmjes të së shtunës pas një mosmarrëveshjeje që dyshohet se nisi për shkaqe pronësie, transmeton Insajderi.

I plagosuri fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Rahovecit e më pas në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Mjeku kujdestar, Jeton Vorfi, thotë se 65-vjeçari erdhi në spital me tri plagë të rënda që ishin fatale për jetën e tij.

“65-vjeçari ka ardhur i gjallë, por në gjendje shumë kritike. Për shkak se ka pasur dy plagë hyrëse-dalëse në gjoks dhe një në qafë pacienti është reanimuar dhe i është vendosur edhe një tub torakal për të mos i dalë gjaku, mirëpo lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe nuk iu ka mbijetuar pas gjysmë ore”, ka thënë për ‘RTV Dukagjinin’, mjeku Jeton Vorfi.

Sipas kryetarit të fshatit, vëllezërit edhe në të kaluarën kanë pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar.

“Janë vëllezër në mes veti dhe një mosmarrëveshje e vogël duket se ka çuar në tragjedi. Ne të gjithë kemi mosmarrëveshje nga pak me njëri-tjetrin. Këta edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje të vogël, por unë pata insistuar të pajtohen. Kur iu ka vdekur nëna, djemtë e të ndjerit e patën marrë axhën dhe nuk kanë pasur më mosmarrëveshje. Tash kemi mbetur pa fjalë. Nuk ka as tri-katër ditë që kemi qëndruar së bashku në park. Sipas djemve të tyre, zënka e tanishme ka ndodhur për disa fjalë. Thjesht problem familjar”, tregon kryetari i fshatit, Melsur Gashi. /Insajderi.com