Prokuroria Themelore e Ferizajt do të bëj kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.
Këtë e ka konfirmuar për Shqip.com Vjosa Baftiu, zëdhënëse e kësaj prokurorie, e cila ka bërë të ditur se kërkesa do të parashtrohet të mërkurën.
“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, nesër do të paraqesë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve”, ka thënë Baftiu.
Sipas aktakuzës Dardan Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore, kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj të ndjerës, e cila më pas kishte ndërruar jetë.
I dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, gjatë gjithë kohës kishte qenë i pranishëm dhe se kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.
Të dyshuarit ishin të njohur për policinë dhe prokurorinë edhe para vrasjes së 18-vjeçares, kjo për shkak të dosjeve që i kishin në polici./SHQIP.com