Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se vajza e çiftit që u gjet i vdekur të dielën në Prishtinë, e kishte raportuar në polici babain e saj, tashmë të ndjerin, për dhunë në familje, përcjell Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, Prokuroria, Departamenti i Përgjithshëm-Njësiti për Dhunë në Familje, pas raportimit të rastit nga policia, më 03.03.2021, kishte iniciuar rastin “dhunë në familje”, kundër të dyshuarit, L.S.
“Sipas shkresave të lëndës rezulton se vajza e të dëmtuarës, S.S. (tani e ndjera), e para e kishte raportuar rastin në polici, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është intervistuar e dëmtuara S.S., e cila në deklaratën e saj ka theksuar se me këtë datë kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, por që ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë që të ndërmarrë edhe veprime tjera të nevojshme hetimore, ku është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten e tij.
Më tej në njoftim thuhet se për të sqaruar ende këto rrethana të ekzistimit të veprës penale, prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ashtu që, më 04.03.2021, ka ftuar në polici për deklaratë shtesë të dëmtuarën S.S., por e njëjta përsëri nuk është paraqitur në Stacion policor.
Ndryshe, më 14 mars, L.S kishte vrarë fillimisht ish-bashkëshorten e tij S.S, e pastaj edhe veten./Insajderi.com