Vrasja e Ruzhdi Shaqirit: Katër dëshmitarë pritet të dëgjohen sot në rastin ku akuzohet Gani Geci

Vrasja e Ruzhdi Shaqirit: Katër dëshmitarë pritet të dëgjohen sot në rastin ku akuzohet Gani Geci

Sokol Musliu, Idriz Morina, Afrim Nuraj dhe Naim Miftari, janë katër dëshmitarët që do të dëgjohen të enjten nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në lidhje me vrasjen Ruzhdi Shaqirit që kishte ndodhur më 4 gusht 2014 e që për të akuzohet ish-deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci.

Geci kishte pranuar akuzën për armë mbajtje pa leje, por për vrasjen ndaj Shaqirit, ishte deklaruar se nuk “ndjehet fajtor”.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar Geci në seancën e 30 marsit e këtij viti.

Prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e “përdorimit të paautorizuar të armës” në të cilën ngarkohet Geci, raporton Betimi në Drejtësi.

Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Vrasje kishte ndodhur në Skenderaj, qytet prej nga vjen Geci.

Geci kishte deklaruar se vrasja ishte vetëmbrojte, e paplanifikuar. /Insajderi.com