Pse shteti, Lëvizja Vetëvendosje, Familja Dehari dhe Tomë Gashi kanë hise në vrasjen pas vdekjes së Astrit Deharit?
Astrit Dehari po vritet çdo ditë. Së pari atë e vrau shteti me pakujdesinë e tij. Së dyti Lëvizja Vetëvendosje me keqpërdorimin e vdekjes së tij për profite politike. Së treti familja me ekspozimin e dhimbjes dhe tragjedisë në funksion të kauzës së subjektit që i takon. Dhe së katërti avokati Tomë Gashi me joprofesionalizmin dhe shtrembërimin e skajshëm të fakteve.
Nuk ka gjasë tjetër pos asaj që Astrit Dehari ka vrarë vetën. Shteti, sado i kriminalizuar nuk ka pasur kurrfarë interesi që ta vrasë Deharin. Ai nuk ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, e as truri i këtij subjekti. Shteti do të ishte i interesuar që Deharin ta nxirrte para drejtësisë dhe ta bindte Gjykatën se ka qenë “pjesë e një grupi që ka kryer sulm terrorist”.
Deri sot në burgjet e Kosovës nuk është vrarë asnjë njëri. Nëse dikush do të vritej, ai ka qenë Nazim Bllaca. Atij, nuk i ndodhi asgjë e keqe në burg.
Vetëvrasje në burgjet e Kosovës ka pasur shumë herë. Pa zhurmë e pa ndikim politik, trupat e tyre janë varrosur dhe më kaq ka përfunduar historia e tyre.
Por, në rastin Dehari nuk ka ndodhur kështu. Sepse i ndjeri ishte aktivist politik. Por, ky fakt nuk e përjashton atë nga vetëvrasja.
Për raste ekstreme të vetëvrasjeve flet edhe një hulumtim i kryer nga një organizatë e quajtur “Inside Prison” me seli në Kanada. Studimi thotë se vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes në burgjet amerikane. Të burgosurit janë në një rrezik më të lartë të vetëvrasjeve sesa publiku i gjerë dhe sidomos ata që janë dënuar kohët e fundit. Studimi tregon se të burgosurit shpesh përdorin një numër të metodave të ndryshme për të bërë vetëvrasje. Madje, edhe mënyrat më të dhimbshme për t’i dhënë fund jetës së tyre.
Studimi thotë se në shumë burgje në qoftë se është zbuluar tendenca për vetëvrasje, i burgosuri vendoset në një repart të veçantë, i cili mbikëqyret nga stafi çdo 15 minuta. Të burgosurit në këto reparte zakonisht e kanë të lejuar të veshin vetëm veshje spitali dhe të kenë një batanije, dhe zakonisht janë të vendosur në një në karrige frenimi, nëse simptomat janë të rënda.
Përveç kësaj, shumë metoda tjera të vetëvrasjes thotë studimi, janë të ndryshme dhe nganjëherë aq të zgjuara, deri në pikën ku shumë mbikëqyrës apo gardianë, kanë pranuar publikisht se nuk mund të kenë një mbikëqyrje mbi ta. Studimi thotë se metoda më e zakonshme e vetëvrasjes është ngufatja apo varja.
Plagët e vetë-shkaktuar paraqesin metodën e tretë më të zakonshme të vetëvrasjes. Këto më së shpeshti përfshijnë bulonat, thika, makina rroje dhe pjesë të ndryshme të telave.
Studimi tregon se si një grua në burgun e Kingstonit theu një gotë me ujë, të cilën pastaj e gëlltiti. Të burgosurit kanë përdorur edhe brisk rroje, të cilët shpesh janë të arritshme për të kryer vetëvrasje. Shumë prej tyre kanë prerë fytin e tyre, qafën dhe barkun. Disa kanë prerë edhe kofshët e tyre. Një grua në një spital u përpoq të bëjë vetëvrasje, duke gëlltitur shtatë bateri dhe dy brisqe rroje dhe duke ngrënë dy të tretat e një këpuce tenisi.
Asfiksia, është metodë tejet e përhapur për të kryer vetëvrasje. Në shumë raste përdoren qese plastike për të ndërprerë qarkullimin e ajrit.
Një i burgosur në Belfast të Irlandës Veriore, në shtator të vitit 2005 bëri konfuz ekspertët pasi në mënyrë të “çuditshme” e kishte lidhur në nyje një qese plastike mbi kokën e tij dhe me sukses kishte kryer vetëvrasje.
John McGrath bëri 6 nyje nga lidhëset e këpucëve, këmishës, dhe peshqirit, duke mbuluar gojën me një qese plastike dhe duke mbushur hundën e tij me copa dhe pjesë të qeses deri në hundë. Eksperti Knot Michael Lucas tha se McGrath ka gjasa të kishte përgatitur më parë këto nyje, me disa gjëra që kishin mbetur në qeli, shkruante gazeta irlandezo-veriore Belfast News Letter më 1 shtator të vitit 2005.
Rasti më ekstrem dhe trishtues i vetëvrasjes, ishte ajo në Sawai Palaphol në Tailandë, kur një i burgosur në mënyrë të përsëritur përplasi kokën e tij në murin e burgut deri sa u rrëzua i vdekur në tokë.
Studimi thotë se ndër faktorët që kontribuojnë në dëshirën për të vrarë veten janë izolimi social, disiplina e ashpër, mungesa e intimitetit, kërcënim i vazhdueshëm i dhunës, frikës, fajit, shpresës dhe depresioni.
As të burgosurit dhe paraburgosurit në Kosovë nuk mund të bëjnë përjashtim të madh prej metodave të tilla të vetëvrasjes. Megjithatë, në rastin Dehari, shteti ka hise të madhe në vdekjen e tij, të cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje.
Pse shteti ka dorë në vdekjen e Astrit Deharit?
Shteti e kishte në dorë jetën e Astrit Deharit. E kishte privuar nga liria me masë paraburgimi nën dyshimin se ka kryer një vepër të rëndë penale – vepër terroriste. I ndjeri nuk do të duhej të lihej pa mbikëqyrje të vazhdueshme si gjithë të tjerët. Ai kishte precedent në familje – vëllai i tij kishte kryer vetëvrasje dy vjet më parë.
Shteti do të duhej ta mbikëqyrte atë vazhdimisht. Do të duhej ta mbante nën vëzhgimin dhe trajtimin e psikologëve dhe specialistëve. Këtë nuk e bëri. Dhe për pasojë ndodhi vdekja e Astritit në rrethana shumë të errëta.
Vdekja u bë edhe më e mistershme për shkak të komunikimit të Policisë dhe Prokurorisë me publikun. Drejtori i Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi tha se i ndjeri piu barna dhe vdiq rrugës për në spital.
Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha tha se i ndjeri kishte shenja dhune në duar.
Këto konstatime i bënë ende pa u kryer asnjë hetim. Pra, ishin paushall, siç janë shumë prej deklaratave të tyre në shumë raste.
Deklarimi i këtyre dy zyrtarëve bëhet edhe më i pabesueshëm kur kihet parasysh profili i tyre. Nexhmi Krasniqi është nën hetime për krim të organizuar. Sylë Hoxha ndërkaq ka ardhur në pozitën e kryeprokurorit me anë të ndikimit politik të Partisë Demokratike të Kosovës.
Vendi ku vdiq Astrit Dehari është dëshmuar se është një institucion i menaxhuar keq dhe në mënyrë kriminale. Në atë qendër një i burgosur kishte arritur të ndërtonte një dhomë private brenda hapësirës korrektuese. Krejt shërbimet ia kishin kryer gardianët.
Kjo qendër nuk është menaxhuar siç duhet nga shteti. Ose më mirë të thuhet se shteti e ka menaxhuar bashkë me kriminelë.
Për të gjitha këto arsye, shteti ka hise në humbjen tragjike të jetës së një aktivisti politik.
Pse Lëvizja Vetëvendosje ka dorë në vdekjen e Astrit Deharit?
Ky subjekt politik është themeluar dhe funksionon në baza ideologjike. Indoktrinimi me anë të ligjëratave, literaturës dhe filmave ka ndikuar tek një pjesë e madhe e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që në shumë raste të kryejnë akte kriminale duke rënë ndesh me ligjin. Ata, janë të gatshëm që këtë ta bëjnë edhe në të ardhmen sepse këtë e kërkon koncepti ideologjik i partisë.
Mënyra si identifikohen dhe pastaj rekrutohen të rinj inteligjent nga krerët e këtij subjekti, është krejtësisht e ngjashme me historitë e rekrutimit që kanë kryer shumë subjekte me ideologji majtiste në botë.
Duke pasur ndikim dhe pushtet mbi të rinjtë, Vetëvendosje ka kapacitet për të krijuar edhe kamikazë ideologjik. Ndikimi mbi Deharin nuk bën përjashtim në këtë rast.
Menjëherë pas vdekjes së Deharit, Vetëvendosje doli me konstatimin se kjo është vrasje. Ata, nuk pranuan dhe nuk janë të gatshëm të pranojnë kurrfarë versioni tjetër për këtë ngjarje tragjike, pos vrasjes. Sepse kështu u konvenon. Sepse në këtë mënyrë mund të krijojnë një kauzë politike me mundësi të nxitjes së një revolucioni, për çka punon ky subjekt tash e sa vjet.
Vetëvendosje, përdori vdekjen e Deharit kryekëput për qëllime politike, duke hequr dorë kështu nga parimi njerëzor i trajtimit të një tragjedie në mënyrë pak më humane.
Ky subjekt ka hise në vdekjen e Astrit Deharit.
Pse familja ka hise në keqtrajtimin e vdekjes së djalit të tyre?
Dhimbjen që ka transmetuar familja Dehari për vdekjen e birit të tyre, sigurisht se ka prekur secilin qytetar të Kosovës. Ama, kjo dhimbje nuk është transmetuar asnjëherë pa ngjyrime politike. Këtë dhimbje, familja e ka vënë krejtësisht në funksion të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka qëllim të zbulohet e vërteta, pos të vërtetës së tyre që është vrasja. Familja, iu dorëzua krejtësisht Vetëvendosjes duke ia lënë dhimbjen e saj në dorë për ta përdorur për qëllime politike – rrëzimin e pushtetit. Madje dolën në konferencë për media të shoqëruar nga Dardan Molliqaj dhe Sami Kurteshi.
Familja që u ankua se disa media ekspozuan trupin e djalit të tyre në publik – e ekspozuan atë në mënyrën më të vrazhdë duke publikuar fotografitë nga ekspertiza mjekoligjore.
Pse Tomë Gashi ka hise në vrasjen e Astrit Deharit?
Avokatin Tomë Gashi e njoh prej vitesh personalisht. Është profesionist për manipulimin e masës në interes të klientëve të tij. Me të njëjtin zell dhe energji e ka mbrojtur Hashim Thaçin sa ishte këshilltar i tij. Njëjtë e ka mbrojtur edhe Azem Sylën, derisa i akuzuari për krim të organizuar hoqi dorë prej tij. Me të njëjtin zell e ka mbrojtur edhe Natali Velijajn, e dënuar më 10 vjet burgim për vjedhjen e 1.4 milion eurove të buxhetit të Kosovës. Njëjtë e ka mbrojtur edhe Sabit Rrahmanin.
Pra, Gashi si avokat është i fokusuar që mbrojtjen e klientëve të tij ta bëjë në media dhe publik, e jo në Gjykatë.
Tomë Gashi nuk e ka problem të gënjej publikisht dhe në sy gjithsecilin. Ashtu siç pati bërë në vitin 2012 kur u dënua më 6 muaj burgim me kusht për vepër penale. Në sy dhe pa u skuqur fare më thoshte se nuk është e vërtetë se jam dënuar, ndërkohë që unë mbaja në dorë aktgjykimin dënues kundër tij.
Njëjtë si në të gjitha rastet tjera po arrin që edhe me rastin Dehari të manipulojë publikun duke prezantuar si ekspertë të pavarur dy mjekoligjorë nga Shqipëria të angazhuar nga Familja Dehari.
Prezantimi si ekspertë të pavarur është mashtrim sepse ata nuk janë të pavarur. Ata, përfaqësojnë familjen dhe si të tillë janë të anshëm. Nëse nuk duhet t’u besohet ekspertëve mjekoligjor të Demartapemntit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të cilët kryejnë të gjitha ekspertizat në Kosovë, pse duhet t’u besohet dy ekspertëve nga Shqipëria.
Pos kësaj, Gashi po manipulon me ekspertizat mjekoligjore sepse asnjë raport nuk flet nëse dikush është vrarë apo vetëvrarë. Ekspertët konstatojnë vetëm shkaqet e vdekjes, ndërsa hetuesit dhe Prokuroria janë ata që nxjerrin rezultatin përfundimtar nëse dikush është vrarë apo vetëvrarë.
Në gjithë këtë histori, Tomë Gashi më së paku është avokat.
Së fundi shoqëria civile ka marrë përsipër një barrë të rëndë të përpjekjeve që politika të ndërhyjë në drejtësi.
Është e njëjta shoqëri civile dhe individë që e përbëjnë atë që në të paktën dy raste kanë dalë hapur kundër përzierjes së politikës në drejtësi.
Kur Kuvendi provoi të diskutojë për rastin Kiqina, kam lexuar dhjetëra kolumne e statuse të aktivistëve të shoqërisë civile të cilët kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që mos të ndërhyjë në drejtësi. Kështu bënë edhe para disa javësh kur Kuvendi diskutoi për rastin Drenica.
Ndërsa, në rastin Dehari këta individë janë bërë prijës të një peticioni me të cilin po përpiqen të detyrojnë politikën të ndërhyjë në një rast që i takon vetëm sistemit të drejtësisë.
Pra, shteti, Lëvizja Vetëvendosje, familja dhe Tomë Gashi kanë hise në manipulimin e së vërtetës së vdekjes së Astrit Deharit. Shteti e mbron konkluzionin se i ndjeri është vetëvrarë, VV-ja, Familja Dehari dhe Tomë Gashi e mbrojnë konkluzionin e tyre se i ndjeri është vrarë.
Si pasojë, Astriti ka pësuar vrasje të shumëfishtë./Insajderi.com