
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ndaj prokurorit, Agron Uka, përcjell Insajderi.
Zyra e kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ky vendim vjen pas tij për caktimin e prokurorit të ri në rastin e vrasjes së të riut nga Deçanit, Agonis Tetaj.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se pas veprimeve për ricaktimin e prokurorit të ri në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, si dhe kërkesës drejtuar trupit gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka”, thuhet në njoftimin për medie.
Tutje, në njoftim theksohet se Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për zbatimin e ligjshmërisë ndaj secilit individ dhe veprimi të kundërligjshëm pavarësisht funksionit dhe pozitës së tij./Insajderi.com