" />

Vrasja në “Apetit”, prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve, mbrojtja ricilësim të veprës penale

Vrasja në “Apetit”, prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve, mbrojtja ricilësim të veprës penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka propozuar dënimin e të akuzuarit për vrasje, Flamur Trupaj, si dhe të akuzuarit për manipulim me prova, Fehmi Ferizi.

Trupaj akuzohet së më 17 mars 2018, në fabrikën e përpunimit të mishit “Apetiti Group” në Obiliq, me dashje kishte privuar nga jeta Armend Kutllovcin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, Fehmi Ferizi, akuzohet se pasi që kishte ndodhur vrasja, ende pa u bërë sigurimi i provave, i kishte thënë njërit prej punëtorëve që ta fshinte gjakun nga dyshemeja në vendin ku kishte ndodhur ngjarja.

Lidhur me këtë rast, në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në këtë seancë, këtë aktakuzë e ka përfaqësuar prokurorja Fitore Sadikaj, e cila ka thënë se gjatë gjykimit dhe administrimit të provave, është vërtetuar se dy të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Sipas saj, është vërtetuar se i akuzuari Trupaj e dashje kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin.

Por, mbrojtësi i të akuzuarit Trupaj, avokati Hamdi Podvorica, nuk është pajtuar me kualifikimin juridik të veprës penale të vrasjes.

Në fjalën e tij përfundimtare, ai ka thënë se në këtë rast bëhet fjalë për vrasje nga pakujdesia, pasi që sipas tij, nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij të ketë pasur dashje që të privojë nga jeta, tani të ndjerin.

“I mbrojturi im nuk ka pas dashje për kryerjen e veprës penale, pa pas dashje nuk ka vepër penale të vrasjes”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se në asnjë fazë të këtij gjykimi nuk është vërtetuar se ka ekzistuar dashja direkte apo eventuale, në privimin nga jeta të kolegut të tij.

Sipas avokatit, i akuzuari nuk kishte ndërmarr asnjë veprim drejt privimit nga jeta të të ndjerit, pasi që siç ka thënë ai, vetëm e kishte lëshuar armën dhe ajo me të prekur në hekur ka shkrepur pa dashjen e tij.

Ai i ka propozuar gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza për veprën penale të vrasjes, pasi që sipas tij, gjatë gjykimit janë vërtetuar rrethanat të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale.

Ai ka kërkuar që me rastin e matjes së lartësisë së dënimit, gjykata të merr parasysh rrethanat lehtësuese, e që siç ka thënë ai, klientit të tij, t’i shqiptohet një dënim i kushtëzuar.

Lirimin e mbrojtësit të saj nga akuza për manipulim me prova, e ka kërkuar edhe mbrojtësja e të akuzuarit Fehmi Ferizi, avokatja Fatmire Braha.

Ajo ka thënë se prokuroria nuk e ka arsyetuar se si është vërtetuar se i mbrojturi i saj është kryerës i një vepre të tillë penale.

Sipas saj, i akuzuari Ferizi, vet kishte treguar se e kishte urdhëruar punëtorin ta fshinte gjakun, ndërsa siç ka thënë ajo, nuk kishte pasur për qëllim që të manipulonte me prova, sepse po të kishte pasur do ta largonte edhe armën nga vendi i ngjarjes.

Ajo ka propozuar që në mungesë të provave dhe përgjegjësisë penale të merret aktgjykim lirues.

Ndërkaq, përfaqësuesi i familjes së të dëmtuarve, Sheremet Ademi, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të prokurores Sadikaj.

“Me vëmendje kemi përcjellë tërë rrjedhën e procesit gjyqësor dhe e mbështesim fjalën e dhënë nga ana e prokurorit të shtetit dhe paraqesim kërkesën pasurore juridike”, ka thënë Ademi.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast pritet të bëhet më 5 shkurt 2020, në ora 13:15, raporton Betimi për drejtësi

Ndërsa, sa i përket propozimit për masën e paraburgimit, sipas gjykatës, do të vendoset pas shpalljes së aktgjykimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11 dhjetor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Flamur Trupaj, të cilin e ngarkonte me veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Flamur Trupaj, akuzohet se më 17 mars 2018, në fabrikën e përpunimit të mishit “Apetiti Group” në Obiliq, në brendësi të saj, në hapësirën për ngrirjen e mishit, me dashje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Armend Kutllovci.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur derisa ai ishte duke bërë ngarkimin dhe shkarkimin e mallit, ka shtënë një herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur në kraharor dhe pas goditjes kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes.

Sipas aktakzuës, në kohë dhe vend të pavërtetuar kishte mbajtur në mënyrë të paautorizuar armën të llojit “TT”, për çka prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale të armëmbajtjes.

Ndërkaq, Fehmi Ferizi, akuzohet se me dashje ka manipuluar e prova, në të mënyrë që pas vrasjes së të ndjerit, para se të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes e urdhëron njërin nga punëtorët që ta fshinte gjakun nga dyshemeja e korridorit ku kishte ndodhur ngjarja.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulim me prova”.