Vrasja në Gjilan, Haradinaj mohon që polici ishte pjesë e mbrojtjes së tij

Vrasja në Gjilan, Haradinaj mohon që polici ishte pjesë e mbrojtjes së tij

Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj ka mohuar se polici që kreu vrasjen në Gjilan ishte pjesë e mbrojtjes së afërt të tij.

Duke u raportuar se polici V. H., që vrau një qytetar sot në Gjilan, ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes së afërt së Haradinajt.

Por, Haradinaj thotë se qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengojë shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin e tij.

“Përkundër që ne e dënuam vrasjen e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërt, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërt me emrin tim”, shkruan Haradinaj në Facebook.

“As kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh. Kosova do të jetë ajo e 17 shkurtit, për të cilën dhanë jetë luftëtarët tanë, sakrifikuan nënat dhe familjet tona, intelektualët tanë dhe çdo shqiptar”, ka shtuar Haradinaj./ Insajderi.com