Rasti ka ndodhur dje, e shtunë, në fshatin Vitomiricë. Viktimat janë një burrë 58 vjeçar, me inicialet R.B., dhe një vajzë 17 vjeçare me inicialet A.R.
Në Vitomiricë të Pejës ka ndodhur të shtunën një vrasje e dyfishtë, njofton Insajderi.
Një person ka shtënë së pari në viktimën e më pas edhe është vetëvrarë.
Policia ka konfirmuar ngjarjen dhe numrin e të vdekurve, por ende nuk është dhënë një version final.
Ajo çfarë dihet është se viktimat janë një burrë 58 vjeçar dhe një vajzë 17 vjeçare. Vajza i takon komunitetit egjiptian.
Hetimet e para, sipas Prokurorisë, tregojnë se personi i gjinisë mashkullore e ka vrarë personin e gjinisë femërore, e më pas dyshohet se ai ka bërë vetëvrasje.
“Dyshimet e para janë që gruaja është privuar nga jeta me armë zjarri, ndërsa i dyshuari pastaj ka kryer vetëvrasje. Këto janë vetëm dyshimet e para. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Çfarë tashmë është e konfirmuar është fakti se dy viktimat kanë qenë fqinjë.
Për rastin, për portalin Indeksonline, ka folur edhe vëllai i viktimës 17 vjeçare.
Ai ka dhënë versionin e tij për rastin.
“Gjatë orës 4 e gjysmë të mëngjesit komshiu e ka marrë motrën me zor, e ka çu në atë shtëpinë e vet”, ka deklaruar vëllai i viktimës.
I pyetur se përse ka mundur të vije deri tek ky rast tragjik, ia ka shtuar se “shkak mund të jetë xhelozia e familjes nga ana e viktimës mashkull”, edhe pse nuk ka sqaruar më tej se çfarë po nënkupton saktësisht.
Ai është shprehur i habitur se si ka ardhur deri tek vrasja, pasi ka thënë se; “Ai (burri 58 vjeçar) e ka rrit vetë at çikë, ne jemi rrit si jetimë. Sa herë ka ardhur në pushim e ka marr motrën dhe janë dalë me gjithë familjen e tij”.
Vëllai i viktimës 17 vjeçare ka treguar edhe se viktima mashkull 58 vjeçar jeton prej kohësh në Gjermani. Ai kishte ardhur para pesë ditësh në Kosovë.
Aludimet e vëllait janë edhe se “dorasi është fjalosur me familjen e tij në Gjermani”.
Gjithashtu, bëhet e ditur se për këtë rast janë arrestuar katër persona në vendin e ngjarjes. Merret vesh se ata u arrestuan pasi kishin sulmuar dy policë që po bënin ekzaminimin e vendit ku kishte ndodhur rasti.
Për klankosova.tv zëdhënësi i policisë së Pejës, Fadil Gashi, ka treguar se të arrestuarit janë familjarë të vajzës.
“Po mbrëmë janë arrestuar katër persona pasi kanë sulmuar dy zyrtarë policorë që ishin duke kryer punën në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë tentuar të kalojnë shiritat e vendosur nga policia dhe janë familjarë të viktimës femër”, deklaroi Gashi.
Çfarë thotë raporti i policisë?
Raporti i policisë nuk e sqaron se kush ka qenë dorasi.
Në raport thuhet vetëm se: “Viktima femër kosovare së bashku me viktimën mashkull kosovar, janë gjetur pa shenja jete, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar mjeku”.
Gjithashtu se “në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve”.
Ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet./Insajderi.com