Vrasje në Ferizaj, dyshohet se djali e mbyti nënën e tij

Vrasje në Ferizaj, dyshohet se djali e mbyti nënën e tij

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotën në rrugën “Ejup Statovci” në Ferizaj, njofton Insajderi.

Siç thuhet nga ana e policisë dhe prokurorisë, dyshimet e para janë se kjo vrasje ka ndodhur brenda familjes.

Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i cili ka thënë se viktima është një 83 vjeçare, trupi i së cilës është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari për vrasjen e saj është arrestuar dhe për momentin është duke u intervistuar.

“Rasti ka ndodhur sot në rrugën Rrustem Statovci, viktima është e gjinisë femrore, diku rreth 83 vjeçare. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe për momentin jemi duke e intervistuar. Pasi të kryhet të gjitha hyetimet do të dalim me një njoftim. Për momentin rasti është ‘hetim i vdekjes’”, ka thënë Gashi.

Lidhur me rastin e sotëm është deklaruar edhe prokurori Veton Shabani, i cili ka bërë të ditur se viktima ka jetuar me djalin e saj, i cili sipas informative të para nga vendi i ngjarjes, është i dyshuar kryesor.

“E ndjera ka jetuar me një djalë të saj, që sipas infiormatave të para, ka të meta mendore. Është dërguar për ekzaminim te psikiatri. I dyshuar për momentin është djali, policia e ka marrë dhe është duke u trajtuar nga psikiatri”, ka deklaruar Shabani. /Insajderi.com/