Vrau gruan dhe vajzën, Pjetër Ndrecaj sërish kërkon uljen e dënimit

Vrau gruan dhe vajzën, Pjetër Ndrecaj sërish kërkon uljen e dënimit

I dënuari me 24 vite e gjysmë për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, për herë të dytë po kërkon nga Gjykata e Apelit anulimin e vendimit të shkallës së parë, apo kthimin e rastit në rigjykim.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë përsëri ka kërkuar që i akuzuari Ndrecaj të dënohet me burgim të përjetshëm, pasi sipas kësaj prokurorie, dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë ishte i ulët, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndrecaj fillimisht ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë më 2 nëntor 2018, me 24 vjet burgim efektiv për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, por Gjykata e Apeli, në mars 2019, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.

Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës i kishte prishur të dyja aktgjykimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Gjakovë, për të dytë herë, e kishte gjetur fajtor Ndrecajn, duke e dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje./Insajderi.com