Vrau ish të dashurin dhe iku për në Gjermani, dënohet me 18 vjet burgim gruaja nga Ferizaj

Vrau ish të dashurin dhe iku për në Gjermani, dënohet me 18 vjet burgim gruaja nga Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka shpallur fajtore duke e dënuar me 18 vjet burgim të pandehurën M.P., e cila kishte kryer “vrasje të rëndë” rreth tri vite më parë, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës, e pandehura më 31 gusht të vitit 2018, me dashje dhe në mënyrë dinake, kishte vrarë ish të dashurin e saj, A.K.

Pas kryerjes së veprës, e njëjta ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte arratisur për në Gjermani.

“E pandehura akuzohet se më 31.08.2018, në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K., në atë mënyrë që duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë, ashtu që e pandehura me përgatitje paraprake, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon që të takohen, duke mos i dhënë ndonjë arsye konkrete, ndërsa ditën kritike në kohën dhe vendin e njëjtë e lë takimin me të, më pas me veturën e tij, futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës, e qëllon dy herë me armë zjarri, një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse, ndërsa menjëherë pas kryerjes së veprës penale e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë, me ç’rast pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18.12.2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin për medie.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./Insajderi.com