Larja e hesapeve për çështje droge ka lënë të vdekur një shtetas shqiptar në Itali. Ervin Karafili u ekzekutua të premten në parkimin e një restoranti në komunën veroneze të “Izola Rixës”.
Sulmi ndaj 34-vjeçarit ishte i mirorganizuar dhe u krye nga afër. Të paktën 2 persona janë shoqëruar si të dyshuar, pasi mendohet se e qëlluan viktimën me armë zjarri dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.
Mjekët ligjorë informuan se plumbat rezultuan fatalë pasi përshkruan pjesën poshtë krahut të Karafilit duke prekur edhe mushkëritë e tij.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të shërbimit ambulator me helikopter, viktima nuk arriti të jetojë.
Ndërsa po investigohen shkaqet e krimit, Ervin Karafili raportohet se ishte banor i një tjetër komune veroneze.
Ai kishte precedentë të mëparshëm penalë si shpërndarës narkotikësh, dhe pikërisht kjo veprimtari dhe borxhet ndaj partnerëve të tjerë mendohet të kenë çuar në ekzekutimin e tij.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë nga restoranti dhe mësohet se janë afër identifikimit të autorëve të krimit./ON/