Vuçiq: Aleatët perëndimor do të dalin me plan të harmonizuar për Kosovën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se “nuk është me rëndësi kur do të paraqitet plani për Kosovën “Ahtisaari plus, plus, plus”, por se është i sigurt se aleatët perëndimorë do të dalin me një plan të harmonizuar”.

Vuçiq: Aleatët perëndimor do të dalin me plan të harmonizuar për Kosovën

“Ju gjithmonë po bëni pyetje të cilat nuk janë thelbësore, sikurse po ju ngutet ndokund, nuk është me rëndësi kur do të ndodh kjo, ndoshta pas tre muajve apo tri vjetëve, por kjo do të ndodhë, me këtë do të dalin dakorduar aleatët perëndimor”, i ka thënë gazetarëve Vuçiq.

Ai ka shtuar se “nuk është me rëndësi se a do të dalin me këtë plan të parët evropianët apo amerikanët”.

Në pyetje “me çfarë do t’i bëhet shantazh Serbisë që ta pranojë këtë”, ai ka thënë “çfarëdo sanksioni, i cili do ta rrezikonte paqen dhe stabilitetin, do të përfaqësonte problem të tmerrshëm për Serbinë”.

Ai ka thënë se “në vitin 2013 nuk ka pranuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe tani është një situatë shumë e vështirë për ne”.

Duke folur për vizitën në SHBA, ai ka thënë se do të luftojë për interesa të Serbisë dhe ka shtuar se Kosova do të jetë temë dominuese.

“Kosova me siguri do të jetë tema më e rëndësishme, e cila nuk është e lehtë pasi kemi pikëpamje të ndryshme”, ka thënë presidenti serb./Insajderi.com.