Vuçiq: Anëtarësimi në BE, s’do t’i prishë marrëdhëniet tona me Rusinë dhe Kinën

Vuçiq: Anëtarësimi në BE, s’do t’i prishë marrëdhëniet tona me Rusinë dhe Kinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se Serbia dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por se nuk do t’i prishë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën për shkak të kësaj, transmeton Insajderi.com.

Kështu u shpreh ai në një intervistë për televizionin austriak ‘ORF’.

I pyetur për rrugën evropiane të Serbisë, Vuçiq tha se e dinte që “jo gjithçka varet nga ne”.

“Në takimin e fundit të ministrave të jashtëm, u tha se Serbia ka bërë përparim në çështjen e sundimit të ligjit. Është e rëndësishme për ne që të jemi sinqerisht në rrugën evropiane”, tha ai, raporton ‘Kosovo Online’.

Një ditë më parë, i pari i Serbisë është deklaruar rreth përpjekjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe UNESCO. Ai thotë se në këto dy organizata ndërkombëtare “do t’i mundim”, duke nënkuptuar pamundësim për anëtarësim.

Ai madje paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë fushatën e saj për tërheqjet e njohjes ndaj Kosovës.

“Në INTERPOL dhe UNESCO, ne do t’i mundim ata. Në Këshillin e Evropës është shumë e vështirë për ne. Por, kandidimi i tyre i parë zyrtar do të na hapë hapësirë ëdhe më pas ne do t’u tregojmë atyre se ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe se mund të veprojmë me përgjegjësi dhe me reciprocitet”, është shprehur ai në ‘Tv Prva’, shkruan ‘Kossev’.

“Do t’u tregojmë atyre se si mbrohet rendi i OKB -së, rendi ligjor në botë dhe si dimë të luftojmë për njerëzit dhe vendin tonë”, shtoi Vuçiq. /Insajderi.com