Vuçiq: BE duhej të reagonte ndaj Kurtit, ndryshe dialogu s’do të kishte kuptim

Vuçiq: BE duhej të reagonte ndaj Kurtit, ndryshe dialogu s’do të kishte kuptim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar së është i kënaqur me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbi parimet e zhvillimit të dialogut me Beogradin.

Ai ka theksuar se BE duhej të reagonte, sepse përndryshe, siç është shprehur Vuçiq, dialogu nuk do të kishte kuptim “nëse Kurti do të thoshte gjithçka që tha”, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.

Presidenti serb duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për fatin e Marrëveshjes së Washingtonit pas zgjedhjes së Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, tha se është e qartë se kush nuk dëshiron dialog.

“Sa i përket Serbisë, ajo gjithmonë respekton marrëveshjet e nënshkruara, dhe nëse dikush thotë se nuk është i interesuar ta bëjë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se është i interesuar në Asociacionin e komunave midis Rugovës dhe Sharrit, atëherë është e qartë se ai nuk do dialog”, ka pohuar Vuçiq.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ditë më parë ka marrë pjesë në një tryezë për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ku ka folur për dialogun me Serbinë.

Aty Kurti kishte thënë se në dialog s’ka nevojë të negociohet për çështje që garantohen me Kushtetutë, duke shtuar se kjo nënkupton që nuk mund të themelohet asociacion njëetnik.

“Neni 44 i Kushtetutës garanton lirinë e asocimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që garantohet me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ishte shprehur ai.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon themelimin e këtij asociacioni./Insajderi.com