Vuçiq dhe Hahn për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe komisionari evropian për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim Johannes Hahn kanë biseduar në Beograd për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq dhe Hahn  për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë

Presidenti Vuçiq dhe komisionari Hahn posaçërisht kanë shqyrtuar ngecjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për gjendjen e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, pretendohet në kumtesë të kryesisë së Serbisë.

Vuçiq ka thënë se “Serbia edhe me këtë rast ka reaguar qetë dhe me përgjegjësi”. Ai e ka falënderuar komisionarin Hahn për mirëkuptim dhe angazhimin e tij që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të zhbllokohet. Gjithashtu ka thënë se “Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së paqes dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ta ruajë stabilitetin në rajon”.

Hahn edhe një herë e ka theksuar gatishmërinë e tij të ndihmojë që të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan në kumtesë të kryesisë serbe./Insajderi.com.