Kryetari serb Aleksandar Vuçiq e ka falënderuar presidentin rus Vladimir Putin për përkrahje të pavarësisë dhe respektim të integritetit territorial të Serbisë dhe i ka premtuar se Rusia gjithmonë mund të llogarisë për Serbinë si aleate.
Ai i ka thënë Putinit se Beogradi gjithmonë ka mundur të llogarisë në përkrahje të Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe Rusia, përkundër asaj që Serbia është vend i vogël, mund të llogarisë se ky vend është aleati i saj besnik. “Serbia dhe Rusia janë mike të sinqerta dhe dua që personalisht t’ju falënderoj për atë që keni angazhuar aq shumë energji, përpjekje, punë, kohë dhe dashuri për përparim të marrëdhënieve serbo-ruse”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se shkëmbimi tregtar i dy vendeve po përparon, se eksport-importi po rritet në përqindje serioze si dhe po përparojnë marrëdhëniet edhe në sferat tjera të jetës shoqërore.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka thënë se lidhjet e afërta dhe afërsia shpirtërore e popullit serb dhe rus ndihmojnë ndërtimin e ardhmërisë dhe e ka falënderuar “popullin vëllazëror serb” në pritje të ngrohtë.
Putini gjithashtu ka thënë se shkëmbimi i mallrave në mes dy vendeve është rritur në dy miliardë dollarë dhe është mirë që marrëdhëniet në mes tyre janë gjithnjë e më të mira.
“Më vjen mirë që kam rast ta vizitojë Serbinë vëllazërore dhe mike dhe të bisedojmë për atë se çfarë është bërë dhe çfarë mund të bëhet në të ardhmen”, ka përfunduar Putin./Insajderi.com.