Vuçiq e krahason dialogun me lojë shahu

Kryetari serb thotë se në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ai ka edhe ndonjë figurë në tabelë, “po përpiqemi të nxjerrim një remi”.

Vuçiq e krahason dialogun me lojë shahu

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka theksuar sot, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, se sikur të fliste me gjuhën e shahut do t’i karakterizonte marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovë, se Serbia është në pozicion të rëndë, por se “ka edhe ndonjë figurë në tabelë”.

“Është e mundur që të luftojmë dhe të nxjerrim ndonjë remi, por do të jetë shumë vështirë. Unë shpresoj se kurrë nuk do të vjen deri te lufta por deri te zgjidhja. Unë e di se njerëzit duan që kjo çështje të zvarritet, por nuk bën, sepse atëherë do të jemi në situatë edhe më të vështirë. Nëse vjen deri te zvarritja, do të thotë ardhmëria e pasigurt, do të jetë më vështirë tërheqja e investitorëve, sepse ata kanë besim në dialogun tonë, nëse ai mbetet i ngrirë, shumica do të mendohen se a duhet hyrë në një vend të tillë, por kjo nuk është e tëra, këtë e dinë të gjithë”, ka sqaruar Vuçiq.

Ai ka shtuar se “po përpiqet ta ruajë paqen, ta shtyjë vendin përpara dhe të gjejë zgjidhje e cila nuk do t’ia nxijë fytyrën Serbisë, edhe sikur në një pjesë të jetë e pakënaqshme”.

“Dikush duhet të merr përsipër përgjegjësinë dhe t’i zgjidhë problemet, kjo do të ishte gjëja me madhe për ardhmëri të Serbisë. A jam optimist, nuk jam, a do të luftojmë, do të luftojmë. Njerëzit i duan trimat të cilët marrin vendime, e jo ata të cilët pasurohen duke menduar vetëm për pushtet”, ka porositur Vuçiq duke aluduar në kritikat e opozitës serbe gjithnjë e më të zëshme se ai tashmë e ka njohur pavarësinë e Kosovës./Insajderi.com.