Vuçiq falënderon Rusinë për ndihmat ushtarake

Në Serbi mbërriti kontingjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me automjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin transit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës.

Vuçiq falënderon Rusinë për ndihmat ushtarake

Presidenti serb Aleksander Vuçiq falënderoi sot homologun rus Vladimir Putin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, po nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake. Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq falënderoi sot Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për modernizimin e forcave ushtarake të Serbisë duke i dhënë vendit të tij automjete të blinduara luftarake.

“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falënderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake”.

Vuçiq foli gjatë inspektimit të dhjetë mjeteve të blinduara ushtarake që mbërritën së fundmi në një bazë ushtarake serbe.

Pajisjet ushtarake mbërritën me gjithë kundërshtimin e Rumanisë fqinje për të lejuar kalimin e tyre transit përmes lumit të Danubit për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.

Mediet serbe njoftojnë se Rusia përdori aeroplanë transporti për dërgimin e pajisjeve ushtarake në Serbi.

Rusia e ka ndihmuar Serbinë të modernizojë forcat e saj të armatosura duke ngritur shqetësime për sigurinë në Ballkan.

Serbia ka marrë tashmë 6 aeroplanë luftarakë MIG-29 nga Rusia dhe ndonëse pretendon të jetë ushtarakisht neutrale, po negocion blerje të tjera armësh nga Moska, përfshirë helikopterë luftarakë dhe transporti si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.