
Pas arritjes së marrëveshjes për targat midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i kënaqur me arritjen e saj, transmeton Insajderi.com.
Kështu tha ai pasi emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, bëri publike marrëveshjen e arritur me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
Vuçiq thotë se është i kënaqur dhe mendon se ajo që u arrit sot është e rëndësishme për palën serbe.
“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi në Nish.
“Takimi i parë do të jetë më 21 tetor dhe në gjashtë muaj Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij dhe zgjidhjen përfundimtare për nivelin më të lartë të formatit të dialogut. Kjo është ajo që është arritur,” tha më tej i pari i Serbisë.
Këto deklarata ai i bëri nga Nishi nga ku ndoqi dy projekte bashkë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ku më parë u deklaruan edhe për situatën e krijuar këto dy javët e fundit në veri të Kosovës.
Para se të bëhej e ditur arritja e kësa marrëveshje, Vuçiq tha se duan paqe, teksa foli për reciprocitetin e targave me Kosovën.
“Serbia është plotësisht e angazhuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, të cilat janë të sponsorizuara nga BE e që delegacioni serb në Bruksel do të bëjë përpjekje për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Vuçiq.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media në Nish
“Le të ruajmë paqen dhe të nënshkruajmë më shumë marrëveshje që do të thotë një ekonomi më e mirë për të gjithë ne”.
Ndërkaq, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i ka bërë të qartë presidentit serb Aleksandër Vuçiq, që Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian, pa e zgjidhur çështjen me Kosovën. /Insajderi.com