Vuçiq injoron paralajmërimin e Kurtit për reciprocitet

Vuçiq injoron paralajmërimin e Kurtit për reciprocitet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka injoruar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vendosjen e masës së reciprocitetit, duke thënë se nuk ka rëndësi çfarë thotë lideri kosovar.

Kurti pas takimit të martën me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë, tha se Serbia nuk po respekton marrëveshjet dhe se reciprociteti do të vendoset se nuk bën ndryshe.

Vuçiq, të mërkurën gjatë një vizite që i bëri bazës ushtarake në Ushqe afër Beogradit, ka thënë se vendimi i shkallës së tretë kundër Ivan Todosijeviq dhe siguria e serbëve në Kosovë janë të një rëndësie kyçe për Serbinë, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.com.

Ndërsa, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si i vlerëson njoftimet e Kurtit në lidhje me reciprocitetin ndaj Serbisë, ka thënë se nuk i intereson.

“Është e rëndësishme për ne që të ruajmë sigurinë e njerëzve tanë në Kosovë sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse ne do të shohim se cili do të jetë reagimi ndaj vendimit në shkallën e tretë kundër Ivan Todosijeviq. Kjo është me rëndësi kyçe për ne”./Insajderi.com