Vuçiq: Jam i shqetësuar për rrahjen e serbëve në Veri të Kosovës

Vuçiq: Jam i shqetësuar për rrahjen e serbëve në Veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i shqetësuar për “rrahjen e serbëve” në Kosovë, përcjell Insajderi.com.

Sipas mediave serbe, Vuçiq është deklaruar se kjo është një pyetje për NATO-n dhe Bashkimin Evropian se pse e lejojnë këtë.

“Ne kemi vendosur qartë kufijtë për sa kohë do të tolerojmë vendimet e shqiptarëve. Unë besoj në guximin e njerëzve. Nëse ka përpjekje për të persekutuar popullsinë tonë, kjo nuk do të ndodhë,” tha Presidenti i Serbisë.

Ndërkaq këtë e ka demantuar Policia e Kosovës përmes një sqarimi, ku thuhet se është lajm tendencioz dhe i pavërtetë i publikuar nga një medium i cili “në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla”.

“Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Policisë.

Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitetin e targave me Serbinë, sipas të cilit, çdo veturë që hyn në Kosovë duhe t’i ndërroj targat e veturave me ato të përkohshme të Kosovës.
Për të mbikëqyrur situatën, aty janë pozicionuar Njësitet Speciale të Kosovës, që po qëndrojnë aty nga e hëna./Insajderi.com