Aleksandër Vuçiq është deklaruar përsëri për Kosovën. Ai është shprehur pesimist se ka një zgjidhje për “problemin Kosovë – Serbi”. Ka thënë që s’e di se si mund të bëhet kjo punë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është deklaruar edhe një herë për Kosovën dhe mundësinë e një zgjidhje përfundimtare. Ka thënë se megjithatë frikësohet se nuk ka ndonjë zgjidhje.
“Konflikti i ngrirë nuk është zgjidhja, por kam frikë gjithashtu që nuk ka as zgjidhje tjetër për Kosovën”, ka thënë Vuçiq në emisionin Fokus në televizionin B92, njofton Inasjeri.
“Nuk mund t’i them askujt që do ta zgjidhim çështjen e Kosovës, sepse nuk e di se si”, ka deklaruar presidenti serb, i cili është pyetur shumë këto ditë për Kosovës, meqë Serbia është në prag të zgjedhjeve.
Ai shtoi se kur të takohet me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak do të diskutohen përsëri propozimet tekniko-metodologjike dhe çështje si zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara tashmë, por një propozim për zgjidhjen përfundimtare nuk mendon se do të flitet, sepse “nuk ka një propozim të tillë”.
Kohëve të fundit është folur shumë për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi gjatë këtij viti, meqë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një rol më aktiv.
Megjithatë, përkundër analistëve nëpër studio televizive që kanë hamendësuar opsione të ndryshme dhe politikanëve që kanë folur në formë dëshirore se duhet të ketë një zgjidhje, ende asnjë projekt real konkret nuk është parë./Insajderi.com