Vuçiq: Kompromisi në dialog – të dy palët të mos fitojnë gjithçka, të humbin diçka dhe të jenë njësoj të pakënaqur

Vuçiq: Kompromisi në dialog – të dy palët të mos fitojnë gjithçka, të humbin diçka dhe të jenë njësoj të pakënaqur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se Serbia është gjithmonë e gatshme të diskutojë një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por nuk është e gatshme të diskutojë asnjë lloj poshtërimi të Serbisë, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në adresimin para popullit të paralajmëruar për pasditen e sotme, pas takimit me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.

Vuçiq tha se dëshironte ta informonte publikun për situatën në Kosovë si dhe bisedimet me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak dhe atë amerikan Mattheë Palmer.

“Kompromisi në dialogun me Prishtinën do të ishte që të dy palët të mos fitojnë gjithçka, të humbin diçka dhe të jenë njësoj të pakënaqur”, tha më tej Vuçiq dhe theksoi se “gjithçka tjetër që do të thoshte në këtë moment do t’i shkaktonte dëme të mëdha Serbisë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së “N1 TV”, cili do të ishte kompromisi në atë dialog, Vuçiq tha se nuk është e mundur të flitet për kompromis paraprakisht, sepse atëherë nuk do të ishte një kompromis, por do të ishte qëllimi që duan të arrijnë. /Insajderi.com