Vuçiq: Me Thaçin, Mustafën, Hotin e Haradinajn merreshim vesh për diçka, me Kurtin për asgjë

Vuçiq: Me Thaçin, Mustafën, Hotin e Haradinajn merreshim vesh për diçka, me Kurtin për asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se me kryeministrin Albin Kurti nuk mund të merret vesh për asgjë, transmeton Insajderi.

Duke përmendur liderë të tjerë kosovarë, të cilët më herët ishin pjesë e bisedimeve, Vuçiq tha se me ta ishte më e lehtë se me Kurtin, edhe pse me askënd nuk ka arritur marrëveshje.

“Kam folur edhe me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Ramush Haradinajn, por këto asnjëherë nuk i kam dëgjuar. Gjithmonë kanë kërkuar njohjen nga Serbia, gjithmonë ka qenë vështirë, por të paktën për diçka jemi marrë vesh, si për atë se është ditë, është e hënë, e premte. Por tash nuk mund të merremi vesh as a është ditë e as cila ditë e javës është”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për televizioni publik të Serbisë.

Në takimin e sotëm në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit, që është i dyti mes tyre në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës tha se ka ofruar një deklaratë të paqes me 6 nene, por që është refuzuar nga pala serbe ende pa u lexuar.

Presidenti serb ndërkohë u ankua se Kurti e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në 150 vitet e fundit. /Insajderi.com