Vuçiq: Një fuqi e madhe do të bëjë kërkesë për tërheqjen e KFOR-it e UNMIK-ut nga Kosova

Vuçiq: Një fuqi e madhe do të bëjë kërkesë për tërheqjen e KFOR-it e UNMIK-ut nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të enjten se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të kërkojë zyrtarisht tërheqjen të forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Vuçiq para mediave theksoi se nuk mund të tregojë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Ai në kazermën në Dedinje tha se do të ishte katastrofë nëse ndodh kjo, raporton Tanjug.

Presidenti serb shtoi se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq.

UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.

Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova./Insajderi.com