Vuçiq: Nuk besoj se NATO do të na kërkojë ndonjëherë falje për bombardimet

Vuçiq: Nuk besoj se NATO do të na kërkojë ndonjëherë falje për bombardimet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën se nuk beson që ndonjëherë NATO do t’i kërkojë falje Serbisë për bombardimet në vitin 1999, transmeton Insajderi.

Ai duke folur për faljen që presidenti çek, Millosh Zeman, që i bëri ditë më parë shtetit serb, tha se është një ‘balsam shërues’ për kombin serb.

“Zeman është bërë kështu një legjendë e kombit tonë,” theksoi Vuçiq, duke shtuar se nuk beson që NATO si e tërë do të kërkojë ndonjëherë falje.

“Jo, ata do të vazhdojnë të thonë se bënë më të mirën e mundshme dhe thjesht donin të parandalonin një katastrofë humanitare. Nëse ka ndonjë të vërtetë për këtë, unë duhet të shtroj pyetjen, nëse vrasja e mijëra njerëzve, posaçërisht 72 fëmijëve serbë, ishte vetëm një ‘dëm kolateral’ apo çfarë ishte? Unë nuk besoj në ndonjë falje zyrtare, institucionale nga NATO”, tha presidenti serb për portalin çek “Parlamentní listy”./Insajderi.com