
“Kemi treguar se jemi të gatshëm që në çdo moment ta mbrojmë pavarësinë, vetëvendosjen dhe lirinë e Serbisë. Nuk ka detyrë më të rëndësishme se kjo”, ka thënë kryetari serb duke iu drejtuar pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, shkruan gazeta serbe Telegraf.
“Serbia është e gatshme për dialog dhe kompromis, dhe është e përcaktuar për paqe, por nuk është e gatshme dhe kurrë nuk do të lejojë ndonjë “Stuhi” tjetër, ndonjë eksod dhe krime ndaj serbëve”, ka porositur sot kryetari serb Aleksandar Vuçiq në fund të ushtrimeve të përbashkëta të ushtrisë dhe policisë serbe “Goditja e përbashkët 2018” në Kralevë, transmeton Insajderi.com.
Ai ka thënë se ushtrimet kanë treguar se janë të gatshëm që në rast sulmi në popullin serb do ta mbrojnë atë dhe do ta ndalin cilindo që mendon se problemet duhet zgjidhur me dhunë.
“Serbia sot askënd nuk e kërcënon, por nuk do të lejojmë askujt që të na rrezikojë. Jemi të gatshëm në kompromise, dialog dhe paqe, por nuk jemi të gatshëm të lejojmë ndonjë kërcënim ndaj serbëve”, porosit Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com.