Vuçiq: Nuk e di se çfarë është sovraniteti i dyfishtë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se presionet pa kompromis nuk ndihmojnë në zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën dhe ka shtuar se nuk di se çfarë është sovraniteti i dyfishtë.

Vuçiq: Nuk e di se çfarë është sovraniteti i dyfishtë

Vuçiq i ka thënë gazetarëve se nuk pret që në Berlin më 29 prill të kërkohet nga Serbia në mënyrë të qartë ta njohë Kosovën.

“Çfarë është sovraniteti i dyfishtë, nuk e di, askush nuk na ka treguar për këtë, e as ofruar, dhe kurrë kjo nuk do të ndodhë, e as në Berlin”, ka porositur Vuçiq.

Sipas fjalëve të tij, “ai do të donte të bëjë diçka për ardhmëri të Serbisë që do të thoshte paqe edhe për serbët edhe për shqiptarët”.

“Nëse dikush konsideron se kompromisi është të themelohen gjykatat për serbët, të kërkohen dëmshpërblimet e luftës nga Serbia, që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës… në këtë film Serbia nuk do të merr pjesë, derisa, ndoshta, kur dikush tjetër fiton në zgjedhje”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se “frikohet se shumica nuk e kanë kuptuar “dorën e zgjatur” të Serbisë në negociata me Kosovën”.

Presidenti i Serbisë ka vlerësuar se një prej qëllimeve themelore të bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht në Perëndim, është që në Kosovë të formohen gjeneratat e reja të serbëve të cilat nuk do të jenë të interesuara për lidhje me Beogradin dhe Serbinë./Insajderi.com.