Vuçiq: Nuk pranova njohjen e Kosovës në Uashington

Vuçiq: Nuk pranova njohjen e Kosovës në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar të mërkurën se nuk ka pranuar njohje reciproke me Kosovën në Shtëpinë e Bardhë

Në një intervistë për “Dnevni Avaz”, njeriu më i pushtetshëm në Serbi, deklaroi se Izraeli është shtet i pavarur dhe se nuk dëshiron të “përzihet”, nëse Izraeli do ta njohë Kosovën apo jo.

“Por ajo që ishte kurdisur atje, në fakt, ata dëshironin që ne të themi se për ne është në rregull që Izraeli të njohë pavarësinë e Kosovës. Ne këtu nuk deshëm të përzihemi. Thamë Izraeli është shtet sovran, ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë, ndërsa nga ana jonë Izraelit i dërguam një mesazh fare të qartë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb, ndër tjerash vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në “Mini-shengen”, sipas tij nga kjo përfitues do të jenë të gjithë; Serbia, Shqipëria e boshnjaket.

“Pas një kohe të gjatë, Prishtina pranoi të marrë pjesë në atë që ne e quajmë ‘Mini-Schengen’, që është një gjë e jashtëzakonshme edhe për Shqipërinë, edhe për Serbinë, por edhe për boshnjakët”, potencoi Vuçiq. /Insajderi.com