Vuçiq: Obligimi i autoriteteve serbe ta mbrojnë krenarinë kombëtare

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shpreson se në komunitetin ndërkombëtar kuptojnë se Serbia sot gjendet në një situatë të vështirë me rastin e paralajmërimit të formimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe ka shtuar se është obligimi i pushtetit serb ta “mbrojë fytyrën e tij dhe krenarinë kombëtare”.

Vuçiq: Obligimi i autoriteteve serbe ta mbrojnë krenarinë kombëtare

“Vetëm shpresoj se disa kanë mjaftë mend të mos iu shkojë ndërmend se ndonjë zgjidhje me armë është i mençur dhe se do t’i sjellë ndonjë avantazh”, ka thënë Vuçiq.

Ai nuk ka dashur ta komentojnë deklaratën e ambasadorit britanik në Prishtinë se është e drejtë sovrane e Kosovës ta formojë ushtrinë dhe se arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me doemos duhet të realizohet në kufijtë ekzistuese.

“Nuk di çfarë të them… Nga padrejtësia kurrë nuk mund të krijohet e drejta. Mbi padrejtësinë, as të mos flas… Gjithë çfarë po bënë Prishtina, e është e qartë se po bënë me përkrahje të amerikanëve dhe britanikëve është e padrejtë, ilegale dhe në kundërshtim me nenin 9, pikën B, e cila pa mëdyshje flet se puna e KFOR-it është t’i çarmatosë të gjitha formacionet e armatosura shqiptare. Ata nuk kanë të drejtë sipas asnjë akti ndërkombëtar ta formojnë ushtrinë. Nuk flas për aktet e tyre, ato nuk më interesojnë”, ka thënë kryetari serb.

Duke folur për lëvizjen e njësiteve të KFOR-it nëpër Kosovë, për të cilat është pretenduar se paraqesin ushtrime, Vuçiq ka thënë se bëhet fjalë për demonstrimin e forcës i cili nuk ka asnjë kuptim, sepse të drejtën ndërkombëtare nuk po e shkelin serbët por shqiptarët.

Ai nuk ka dashur t’i konfirmojë informatat e disa medieve se nesër do t’i vizitojë njësitet e ushtrisë serbe në Zonën tokësore të sigurisë me Kosovën, por ka thënë se është e drejtë e tij sovrane, si kryetar dhe komandant i ushtrisë ta vizitojë cilëndo njësit kur të dëshiron ai, dhe se për këtë nuk e informon askënd./Insajderi.com.