Vuçiq: Pak shanse për marrëveshjen

Vuçiq: Pak shanse për marrëveshjen

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se mundësitë për marrëveshje me shqiptarët e Kosovës janë “shumë më të vogla nga sa kanë qenë” duke shtuar se Prishtina nuk do ta vazhdojë dialogun derisa të përfundojë mandati i administratës aktuale evropiane.

Zgjedhjet e reja për institucionet evropiane janë parashikuar të mbahen në fund të muajit maj.

Vuçiq përsëriti se Prishtina nuk do ta shfuqizojë së shpejti tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, ndërsa përgjegjëse për këtë situatë bëri edhe BE-në, që sipas tij, posedon mekanizma që do t’i kushtonin shumë shtrenjtë Prishtinës, por që nuk po i zbaton.

“Pa një marrëveshje me Beogradin, Prishtina nuk mund të bëjë asnjëherë asgjë”, tha presidenti serb.

Ai mohoi se ekziston një plan prej 17 pikash për ndryshimin e kufijve me Kosovën.

Presidenti serb tha gjithashtu se askush nuk e dëshiron një marrëveshje bazuar në modelin e dy Gjermanive.

“Shqiptarët më nuk duan të dëgjojnë për këtë, ata dyshojnë se Rusia do ta pranonte këtë në OKB, edhe nëse ne e pranojmë atë”, tha Vuçiq.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës. Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë thirrje që palët të ndalin veprimet që dëmtojnë procesin negociator dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.