Vuçiq për Policinë e Kosovës: Kur u thash “tërhiquni”, ata “u tërhoqën”

Vuçiq për Policinë e Kosovës: Kur u thash “tërhiquni”, ata “u tërhoqën”

“Iu thash para dy dite se kanë afat deri në 19:30 “të tërhiqen”, ata “u tërhoqën” dhe në orën 19:20 na e kthyen Marko Gjuriqin”, ka treguar mbrëmë në një TV serb kryetari serb “versionin” e vet të arrestimit dhe dëbimit të Gjuriqit nga Kosova, dhe “përmbajtjen” e një thirrjeje telefonike të cilën ai ia paska bërë Prishtinës, me qëllim, sipas tij, “të parandalimit të terrorit të mëtutjeshëm”.

“Ishin të detyruar të tërhiqen, kur iu thashë unë”, ka thënë Vuçiq për TV Prva dhe ka shtuar se”ai i ka detyruar shqiptarët të tërhiqen ashtu siç ka bërë edhe herën e kaluar”.

Thotë se shpreson që atyre (Policisë së Kosovës, e cila punon dhe patrullon normalisht në veri) më nuk do t’u shkojë kjo ndërmend.

Sa i përket opozitës në Serbi, ai ka thënë se populli nuk i ka zgjedhur ata të cilët merren vesh me ambasadorët e huaj dhe nga gosti të ndryshme na porosisin: “Amerikanët janë me ne”.

“Por e dinë se askush nuk llogaritë në ta, përveç që shkojnë në ndonjë festë, e hanë ndonjë hamburger… Dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vuçiq.

Komentet e opozitës, thotë Vuçiq, kanë treguar se sa dallon populli ynë nga shqiptarët, sepse, siç ka shtuar, “ata edhe kur e kryejnë krimin më të madh, janë të bashkuar dhe e mbrojnë interesin e vet, shqiptar”.

Kryetari serb ka thënë se prapavija e asaj që ka bërë Prishtina para dy ditësh është se:

“Ata po nguten që me çdo kusht ta marrin veriun e Kosovës, në mënyrë që serbët të jenë të lumtur se e kanë fituar eksterritorialitet për kisha dhe manastire, gjë që do të kishin pranuar Jankoviq, Jeremiq dhe të tjerët, e ndoshta edhe AKS si organizatë joqeveritare”, ka thënë Vuçiq, “Qëllimi i tyre është veriu”, thekson ai./Insajderi.com.