
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se Republika Srpska nuk po e shkatërron Marrëveshjen e Dejtonit, për çka sipas tij po akuzohet në raportin e Përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, transmeton Insajderi.com.
Vuçiq thotë se nuk e ka lexuar këtë raport në të cilin thuhet se ekziston rrezik nga shpërbërja e këtij shteti dhe për konflikte reale.
“Të gjithë të tjerët kanë shkelur Marrëveshjen e Dejtonit, jo Republika Srpska, por unë dua ta lexoj raportin me kujdes”, ka thënë Vuçiq për ‘TV Pink’, nga Glasgou, ku po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Vuçiq ka thënë se në Glasgou nuk është takuar me kryetarin e presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.
Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.
“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citon Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt. /Shqip.com