Vuçiq: S’e largojmë Odaloviqin edhe nëse na e kërkon SHBA-ja

Vuçiq: S’e largojmë Odaloviqin edhe nëse na e kërkon SHBA-ja

“Edhe nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kërkojnë, Serbia nuk pranon ta largojë Veljko Odaloviqin”.

Kështu ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Euronewsin serb, ku u pyet nëse do të hiqte Serbia dorë nga Odaloviq, në këmbim të zgjidhjes së problemit, transmeton Insajderi.

“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kërkojnë ta bëjmë atë, ne, si një shtet sovran, i pavarur dhe i përgjegjshëm, nuk duhet ta pranojmë atë, për shumë arsye”, ka thënë ai.

Më tutje Vuçiq ka thënë se pranimi i Kosovës nga ana e Serbisë do të thotë ulëse në OKB.

“Ulësja në OKB nuk varet vetëm nga ne, ngase të tjerët mund të vendosin ndryshe. Por sa na përket neve, kurrë, ndërsa sa i përket të tjerëve, këtë nuk e di”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me Vuçiqin në Bruksel, i cili u mbajt më 15 qershor, ka paraqitur tri kërkesa ndaj Serbisë, një ndër to largimin e kryetarit të Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq, pasi sipas tij, ky i fundit është fajtor për të zhdukurit e luftës në Kosovë./Insajderi.com