Vuçiq: Serbia nis fushatën për çnjohje nëse Kosova pranon njohje të reja

Vuçiq: Serbia nis fushatën për çnjohje nëse Kosova pranon njohje të reja

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të enjten se Serbia do të fillojë fushatë të çnjohjes në rast se Kosova pranon njohjen e pavarësisë nga ndonjë shtet, transmeton Insajderi.

Ai tha se ky “armëpushim” do të zgjasë deri në shtator, duke lënë të kuptohet se do të respektojë moratoriumin një vjeçar të firmosur më 4 shtator në Washington, mes tij dhe Avdullah Hoti, atë kohë kryeministër i Kosovës.

“Kjo zgjat deri në shtator. Nëse dikush merr vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ne menjëherë do të fillojmë një fushatë për të tërhequr njohjen,” tha Vuçiq, përcjell B92.

Këto deklarata ai i bëri pasi presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, tha disa ditë më parë gjatë një vizite në pjesën turke të Qipros se Turqia po punonte për të rritur numrin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq shtoi se e respekton presidentin turk dhe se “ne duam marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por që ne kemi vendin tonë, interesat tona dhe do të veprojmë në përputhje me ato interesa”./Insajderi.com