Vuçiq thotë se ditëve në vijim do të ketë tërheqje të njohjeve nga Kosova

Vuçiq thotë se ditëve në vijim do të ketë tërheqje të njohjeve nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të hënën tërheqje të njohjeve diplomatike të disa shteteve ndaj shtetësisë së Kosovës, transmeton Insajderi.

Lidhur me raportimet e fundit se Greqia do ta njohë Kosovën, ai tha se “është vendi ynë vëllazëror dhe shpresoj se nuk do ta marrë atë vendim të keq”, raporton B92.

“Ju do të shihni se sa vende do të tërheqin njohjen. Dhe pastaj do të shihni se si një Serbi e vogël po lufton si një ‘mi në qoshe’, siç thotë një doktrinë britanike, ne do të luftojmë ashtu siç dimë”, u shpreh Vuçiq.

Ai përmendi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, duke i quajtur “skifterë të mëdhenj shqiptarë”.

“Por skifterët e politikës së Madhe Shqiptare erdhën në pushtet, duke shijuar simpatitë e mëdha të Perëndimit, veçanërisht Gjermanisë, jo aq shumë të Amerikës, sepse ata e shohin Ministrin e Punëve të Jashtme në Prishtinë si të tyren. Osmani është një studente amerikane, Kurti është i martuar për një norvegjeze. Këta janë skifterët shqiptarë, që disa i paraqesin si njerëz të mirë”, deklaroi presidenti serb./Insajderi.com