Vuçiq thotë se ka njohuri për serbët që ishin afër burimit të ujit në Deçan

Vuçiq thotë se ka njohuri për serbët që ishin afër burimit të ujit në Deçan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar se ka njohuri që dy serbë me një automjet me targa të Novi Sadit, kanë vizituar Deçanin dhe kishin lëvizur më larg se 500 metra nga burimi i ujit, transmeton Insajderi.

Duke folur për serbët që janë parë në Deçan, e që në media në Kosovë kanë ngritur dyshime se mund të jenë ata që kanë helmuar ujin, tha se ka njohuri për lëvizjen e serbëve të kapur nga kamerat e sigurisë.

“E kemi analizën e lëvizjes së veturës me targa të Novi-Sadit, nuk ishte as 500 metra afër burimit të ujit. Po presim të shohim se çfarë do të thonë”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në qytetin Borç, ku inauguroi një shtëpi shëndeti, përcjell B92.

Mbi një mijë e 500 banorë të fshatrave të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që të gjithë u paraqiten me simptoma të helmimit.

Dyshimi kryesor ishte helmimi nga burimi i ujit, por pas analizave fillestare nga IKSHPK-ja, është thënë se uji nuk është burim i helmimit.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të mërkurën, se disa mostra të ujit do të dërgohen jashtë vendit për analiza më të thella.

Gjatë mbrëmjes së 14 korrikut, mediumi “Albanian Post” ka publikuar pamje nga një fshat në Deçan ku shihet se disa puseta kishin kapakët e hapur, ndërsa në afërsi të tyre kanë kaluar dy serbë të cilët kishin pyetur një qytetar për Manastirin e Deçanit.

Ky i fundit i kishte shprehur dyshimet e tij në Polici, por që nuk është hapur rast për hetimin e lëvizjes së tyre. /Insajderi.com