Vuçiq thotë se miqësia mes shqiptarëve dhe serbëve në Zvicër duhet të merret shembull  

Vuçiq thotë se miqësia mes shqiptarëve dhe serbëve në Zvicër duhet të merret shembull  

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç, ka dhënë një intervistë për të përditshmen zvicerane “Blick”. Në këtë intervistë, Vuçiç ka thënë se ai do të hap një kaptinë të re për Serbinë, që do të thotë të gjejë një zgjidhje për problemin me Kosovën shkruan Blick.

Sipas presidentit të ri të Serbisë, serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë në paqe, e madje edhe si miq, ashtu siç bëjnë Zvicër, transmeton zeri.info.

“Është lehtë të thuhet, shkoni e luftoni në Kosovë! Mirëpo kjo mënyrë e të menduarit na ka dërguar gjithmonë në luftë. Unë dua një rrugë të re për Serbinë. Dua që të hap diskutime të drejta dhe korrekte për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Edhe nëse serbët nuk janë ende gati unë nuk do të dorëzohem. Ky debat do të ketë efekte shëruese për të gjithë ne edhe nëse arrijmë apo jo rezultat të mirë”, ka thënë Vuçiç për Blick.

Më tutje, ai ka thënë se ky dialog nuk do të kishte rezultat të mirë nëse të dy palët nuk janë të gatshme që të humbasin diçka.

“Nëse të dy palët nuk janë të gatshme të humbasin diçka, atëherë nuk do të ketë rezultat të mirë dhe konflikti do të zgjas përgjithmonë. Kjo do të dëmtonte të dy palët. Unë besoj se jam personi i duhur për këtë dialog. A e dini pse? Kam qenë deputeti mëi ri, ministri dhe kryeministri më i ri,  dhe tani jam presidenti më i ri. Nuk kam më ambicie personale”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

I pyetur se nga çka janë në gjendje që të heqin dorë serbët për ta zgjidhur problemin e Kosovës, ai nuk ka pranuar që të flas publikisht.

“Jemi të gatshëm që të gjejmë një kompromis të mirë dhe të bëjmë progres. Eventualisht kjo çështje duhet të zgjidhet dhe më mirë të bëhet tani sesa pas 100 vitesh”, ka shtuar ai.

Më tutje, presidenti serb ka thënë se serbët edhe shqiptarët duhet të jetojnë në paqe, e madje edhe si miq.

“E di që shqiptarët dhe serbët jetojnë në paqe këtu në Zvicër. Madje edhe si miq. Kjo është pikërisht ajo që duhet të kemi sukses për ta arritur në shtëpi”, ka thënë ai. /Zeri/